Archive | Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë RSS feed for this section

Përmbledhje e shkurtër e opinionit këshillëdhënës të 22 korrikut 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin e Kosovës

24 Jul

Si zakonisht Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë trajtoi fillimisht çështjen nëse ajo kishte juridiksion në këtë rast dhe nga ana tjetër nëse duhet të ushtronte diskrecionin e vet dhe të refuzonte t’i përgjigjej pyetjes së shtruar nga Asambleja e Përgjithshme (paras. 17-48). Kjo pjesë është mjaft interesante për faktin se sqaron kompetencat e Asamblesë së Përgjithshme dhe marrëdhëniet e saj me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pasi gjeti se kishte juridiksion dhe se nuk kishte asnjë arsye bindëse për të mos u përgjigjur, Gjykata iu kthye qëllimit dhe kuptimit të pyetjes për të cilin kërkohej opinioni i saj. Duke rikujtuar se në disa raste të mëparshme ajo kishte lëvizur nga gjuha e përdorur në pyetje kur kjo nuk ishte e formuluar në mënyrë adekuate, Gjykata vlerësoi se në këtë rast pyetja e paraqitur nga Asambleja e Përgjithshme ishte formuluar qartë.

Qëllimi dhe kuptimi i pyetjes së shtruar

Në shqyrtimin e pyetjes Gjykata deklaroi se (para. 51):
“Pyetja është e ngushtë dhe specifike; ajo i kërkon Gjykatës për një opinion nëse shpallja e pavarësisë është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare apo jo. Ajo nuk pyet për pasojat ligjore të asaj deklarate. Në veçanti, nuk pyet nëse Kosova ka arritur të jetë shtet apo jo. As nuk pyet për vlefshmërinë ose efektet juridike të njohjes së Kosovës nga ato shtete të cilat e kanë njohur atë si shtet të pavarur.”
Siç e vuri në dukje Gjykata, pyetja nuk kërkonte që ajo të merrte një pozicion në atë nëse e drejta ndërkombëtare i jepte të drejtë Kosovës të shpallte pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme ose, aq më tepër, në se e drejta ndërkombëtare në përgjithësi i jep të drejtë subjekteve të gjendura brenda një Shteti për t’u shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky i fundit. Kështu, Gjykata e la mënjanë çështjen e vetëvendosjes dhe shkëputjes (ndarjes) dhe u fokusua në atë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Kjo zgjedhje e Gjykatës është kritikuar nga gjykatës të veçantë si p.sh Gjyqtari Sima (Gjermani).

Sfondi faktik që çoi në Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008 (paras. 57-77)

Duke përcaktuar se shpallja e pavarësisë të 17 shkurtit 2008 duhet konsideruar në kontekstin faktik që çoi në miratimin e saj, Gjykata përshkroi shkurtimisht karakteristikat përkatëse të kuadrit të miratuar nga Këshilli i Sigurimit për të siguruar administrimin e përkohshëm të Kosovës, përkatësisht, rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit dhe rregulloret e shpallura bazuar në të nga Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Gjykata pastaj vazhdoi me një përshkrim të shkurtër të zhvillimeve në lidhje me të ashtuquajturin “proces për statusin përfundimtar” në vitet para miratimit të shpalljes së pavarësisë, para se t’i kthehej ngjarjeve të 17 shkurtit 2008.
Identiteti i autorëve të shpalljes së pavarësisë (paras. 102-109)

Sipas Gjykatës, identiteti i autorëve të shpalljes së pavarësisë ishte një çështje në gjendje të ndikonte në përgjigjen ndaj pyetjes nëse kjo deklaratë ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Duke konsideruar karakteristika të caktuara të tekstit të Deklaratës dhe rrethanat e miratimit të saj Gjykata arriti në përfundimin se, duke marrë të gjithë faktorë së bashku, autorët e shpalljes së pavarësisë të 17 shkurt 2008 nuk kishin vepruar si një prej Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në kuadër të Kornizës Kushtetuese, por si persona që vepruan së bashku në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës jashtë kuadrit të administratës së përkohshme.

Pyetja nëse Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare (paras. 77-121)

Gjykata shqyrtoi së pari disa pyetje në lidhje me ligjshmërinë e deklaratave të pavarësisë sipas ligjit të përgjithshëm ndërkombëtar, përkundër sfondit në të cilin kjo pyetje do të konsiderohej, dhe si Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999) duhej kuptuar dhe zbatuar. Pas përcaktimit të kornizës së përgjithshme, Gjykata iu kthye rëndësisë ligjore të rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, dhe konsideroi nëse rezoluta kishte krijuar rregulla të veçanta, dhe detyrime pasuese, sipas të drejtës ndërkombëtare në fuqi për çështjet e ngritura nga ana e kërkesës dhe nëse kishte ndonjë ndikim mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë të 17 shkurtit 2008.

Ligji i përgjithshëm ndërkombëtar (paras. 79-84)

Gjykata vlerësoi se gjatë shekujve të tetëmbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë, ka pasur raste të shumta të deklaratave të pavarësisë, shpesh të kundërshtuara fuqishëm nga ana e shtetit nga i cili ishte duke u shpallur pavarësia. Në asnjë rast, megjithatë, praktika shtetërore si një e tërë nuk sugjeron që akti i shpalljes së deklaratës ishte konsideruar si në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Përkundrazi, praktika shtetërore gjatë kësaj periudhe qartësisht drejton në përfundimin se e drejta ndërkombëtare nuk përmbante ndalimin e deklaratave të pavarësisë. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, e drejta ndërkombëtare e vetëvendosjes u zhvillua në mënyrë të tillë që të krijojë një të drejtë për pavarësi për popujt e territoreve të jo-vetëqeverisura dhe të popujve të ndodhur nën nënshtrim të huaj, dominim dhe shfrytëzim.

Në shqyrtimin e pretendimit se ndalimi i deklarimeve të njëanshme të pavarësisë është i nënkuptuar në parimin e integritetit territorial, Gjykata vlerësoi se fushëveprimi i parimit të integritetit territorial është i kufizuar në sferën e marrëdhënieve mes Shteteve. Gjykata gjithashtu konfirmoi se nuk ka ndalim të përgjithshëm kundër deklarimeve të njëanshme të pavarësisë që mund të nxirret nga praktika e Këshillit të Sigurimit; me përjashtim rasteve kur kjo deklaratë bazohet në përdorimin e paligjshëm të dhunës ose shkelje të tjera flagrante të normave të së drejtës të përgjithshme ndërkombëtare, në veçanti atyre me karakter detyrues (jus cogens). Gjykata saktësoi se në kontekstin e Kosovës, ndryshe nga ai i Qipros, Këshilli i Sigurimit nuk e ka marrë këtë pozicion. Sipas Gjykatës, e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban një ndalim të aplikueshëm të deklaratave të pavarësisë, pra shpallja e pavarësisë së Kosovës të 17 shkurt 2008 nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999) dhe Korniza Kushtetuese e UNMIK-ut (paras. 85-121)

Gjykata vuri në dukje se asnjë nga pjesëmarrësit në këtë rast nuk e kishte vënë në diskutim faktin se rezoluta 1244 (1999), e cila merret specifikisht me situatën në Kosovë, është pjesë e ligjit relevant për këtë situatë. Më tutje, Gjykata theksoi se Korniza Kushtetuese e derivon forcën e saj detyruese nga karakteri detyrues i rezolutës 1244 (1999) dhe kështu nga e drejta ndërkombëtare. Në këtë kuptim ajo ka karakter juridik ndërkombëtar.
Më tutje Gjykata vuri në dukje tre karakteristika të dallueshme të rezolutës 1244, relevante për të dalluar objektin dhe qëllimin e saj. E para, rezoluta 1244 (1999) themeloi një prani ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë me autoritet të plotë civil dhe politik dhe përgjegjësi të vetme për qeverisjen e Kosovës. Së dyti, zgjidhja e mishëruar në rezolutën 1244 (1999), domethënë, zbatimi i një administrate të përkohshme ndërkombëtare territoriale, ishte projektuar për qëllime humanitare: të siguronte një mjet për stabilizimin e Kosovës dhe për rivendosjen e një rendi themelor publik në një zonë të përfshirë në krizë. Së treti, rezoluta 1244 (1999) në mënyrë të qartë themeloi një regjim të përkohshëm; ajo nuk mund të kuptohet sikur vuri në vend një kornize institucionale të përhershme në territorin e Kosovës. Kjo rezolutë mandatoi UNMIK-un vetëm për të lehtësuar zgjidhjen e dëshiruar të negociuar për statusin e ardhshëm të Kosovës, pa paragjykuar rezultatin e procesit negociues. Gjykata kështu konkludoi se objekti dhe qëllimi i rezolutës 1244 (1999) ishte krijimi i një regjimi të përkohshëm, të veçantë juridik, i cili, përveç në atë masë që ai shprehimisht e ruante atë, e zëvendësonte rendin ligjor serb, dhe që synonte në stabilizimin e Kosovës, dhe që ishte projektuar për ta bërë këtë në një bazë të përkohshme.
Duke qenë se e kishte saktësuar më parë identitetin e autorëve të shpalljes së pavarësisë, Gjykata iu kthye pyetjes nëse veprimi i tyre në shpalljen e deklaratës ishte në kundërshtim me ndonjë ndalesë përmbajtur në rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999) ose me Kornizën Kushtetuese të miratuar në bazë të saj (paras. 110-121).
Së pari, Gjykata vërejti se Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999) është projektuar në thelb për të krijuar një regjim të përkohshëm për Kosovën, me qëllim për të kanalizuar procesin afatgjatë politik për të vendosur statusin e saj përfundimtar. Rezoluta nuk përmban ndonjë dispozitë që ka të bëjë me statusin final të Kosovës ose me kushtet për arritjen e saj. Kështu, sipas Gjykatës, Rezoluta 1244 (1999) nuk e përjashton deklaratën e shpalljes së pavarësisë të 17 shkurtit 2008 për shkak se dy instrumentet veprojnë në nivele të ndryshme: për dallim nga rezoluta 1244 (1999), shpallja e pavarësisë është një përpjekje për të përcaktuar përfundimisht statusin e Kosovës.
Së dyti, duke iu kthyer çështjes se kujt i adresohet rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit, Gjykata vendosi se nuk kishte asnjë shenjë në tekstin e rezolutës se Këshilli i Sigurimit kishte për qëllim të vendosë një detyrim të veçantë për të vepruar ose një ndalim nga veprimi, drejtuar aktorëve të tjerë. Gjykata arriti në përfundimin se, kjo pjesë e rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit nuk mund të interpretohet për të përfshirë një ndalim, i adresuar në mënyrë të veçantë për autorët e deklaratës së 17 shkurtit 2008, kundër deklarimit të pavarësisë. Gjykata vlerësoi përkatësisht se kjo rezolutë e Këshillit të Sigurimit nuk ka ndaluar autorët e deklaratës së 17 shkurtit 2008 që të miratojnë shpalljen e pavarësisë nga Republika e Serbisë. Prandaj, shpallja e pavarësisë nuk e shkel Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit.
Në fund Gjykata u kthye në pyetjen nëse shpallja e pavarësisë të 17 shkurt 2008 ka shkelur Kornizën Kushtetuese miratuar nën kujdesin e UNMIK-ut. Duke gjetur se shpallja e pavarësisë të 17 shkurtit 2008 nuk ishte miratuar nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes, dhe as që ishte një akt që kishte për qëllim të hynte në fuqi, ose në të vërtetë hynte në fuqi, në kuadër të rendit juridik në të cilin operonin Institucionet e Përkohshme, Gjykata vlerësoi se shpallja e pavarësisë nuk e shkelte as Kornizën Kushtetuese të 2001-it.

Përfundim i përgjithshëm (para. 122)

Duke konstatuar se miratimi i shpalljes së pavarësisë të 17 shkurt 2008 nuk e shkel ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar, rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit  ose Kornizën Kushtetuese, Gjykata deklaroi se si pasojë, miratimi i kësaj shpalljeje nuk shkel asnjë rregull në fuqi të së drejtës ndërkombëtare.

Dispozitivi – Këshilla e Gjykatës për Asamblenë e Përgjithshme

Gjykata vendosi unanimisht se kishte juridiksion për të dhënë mendimin këshillues të kërkuar.
Me nëntë vota pro dhe pesë vota kundër ajo vendosi që të pajtohet me kërkesën për të dhënë një mendim këshillimor.
Me dhjetë vota pro dhe katër kundër Gjykata vendosi se:
Është e mendimit se shpallja e pavarësisë së Kosovës të miratuar më 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar.

Dr. Gentian Zyberi

Utrecht, Hollandë

Këshilltar ligjor dhe koordinator i ekipit ligjor të Shqipërisë.

Rasti i Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – 8 tetor 2008 – 22 korrik 2010

14 Jul

Rasti ‘Përputhja me të Drejtën Ndërkombëtare e Deklaratës së Njëanshme të Pavarësisë nga Institucionet Provizore të Vetëqeverisjes së Kosovës’ filloi me miratimin më datë 8 tetor 2008 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të rezolutës 63/3 të një kërkese për një opinion këshillimor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Rezoluta e sponsorizuar nga Serbia u miratua me 77 vota në favor, 6 kundër (përfshirë Shqipërinë) dhe 74 abstenime. Pyetja e parashtruar para Gjykatës nga Asambleja e Përgjithshme është: ‘A është Deklarata e Njëanshme të Pavarësisë nga Institucionet Provizore të Vetëqeverisjes së Kosovës në Përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare?’. Me datë 22 korrik, në ora 3 pasdite, Presidenti i Gjykatës, Gjykatësi Hisashi Owada, do të lexojë opinionin këshillimor të Gjykatës në një seancë publike.

Një numër i konsiderueshëm shtetesh kanë marrë pjesë në procedurat ligjore para Gjykatës në lidhje me këtë rast. Kështu, në fazën e parë të procedurës me shkrim 37 shtete, përfshirë Kosovën, paraqitën deklaratat e tyre para Gjykatës. Në fazën e dytë që përfundoi me datë 17 korrik 15 shtete, përfshirë Kosovën, dorëzuan komentet e tyre mbi deklaratat me shkrim paraqitur gjatë fazës së parë. Për fazën me gojë fillimisht u paraqitën pranë Sekretarisë së Gjykatës 31 shtete, përfshirë Kosovën. Më pas, 2 shtete, përkatësisht Laosi dhe Bahreini, u tërhoqën. Paraqitja e argumentave me gojë para Gjykatës nuk do të ishte edhe faza e fundit e procedurës së paraqitjes së argumentave në lidhje me këtë çështje nga shtetet e interesuara, pasi tre nga gjykatësit parashtruan pyetjet e tyre ndaj pjesëmarrësve në këtë proces  në fund të kësaj faze. Ndryshe nga të gjitha dokumentat e tjerë të cilët janë në faqen e internetit të Gjykatës Ndërkombëtare, përgjigjet e shteteve ndaj këtyre pyetjeve nuk janë vendosur akoma në këtë faqe.

Gjyqtari Koroma (Sierra Leone) shtroi këtë pyetje: “Është pretenduar se e drejta ndërkombëtare nuk e ndalon shkëputjen e një territori nga një shtet sovran. A mundet që pjesëmarrësit në këto procedura ta drejtojnë Gjykatën në parimet dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare, nëse ka ndonjë, të cilat, jashtë kontekstit kolonial, lejojnë shkëputjen e një territori të një shteti sovran pa pëlqimin e këtij të fundit?” Gjyqtari Bennouna (Marok) bëri këtë pyetje: “A kanë bërë fushatë që më parë autorët e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, gjatë zgjedhjeve të nëntorit 2007 për Kuvendin e Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, në bazë të gatishmërisë së tyre për të shpallur njëanshmërisht, pas zgjedhjes, pavarësinë e Kosovës, apo të paktën a e parashtruan ata para votuesve të tyre shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës si një alternativë për veprimet e tyre në të ardhmen?” Gjyqtari Cançado Trindade (Brazil) pyeti: “Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 (1999) i referohet, në paragrafin e saj 11(a), “autonomisë substanciale dhe vetëqeverisjes në Kosovë”, duke marrë në konsideratë të plotë Marrëveshjen e Rambujesë. Në kuptimin tuaj, cili është kuptimi i kësaj reference në Marrëveshjen e Rambujesë? A ka një influencë kjo për çështje të vetëvendosjes dhe / apo ndarjes? Nëse po, cilat janë parakushtet që një popull të kualifikohet për shtet, në kuadrin e regjimit ligjor të përcaktuar nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999)? Dhe cilat janë parakushtet faktike për konfigurimin e një  ‘populli’, dhe të drejtës së tij për shtet, nën të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare?

Si fillim duhet sqaruar se pozicioni i Shqipërisë në këtë rast është që Deklarata e Pavarësisë nuk ka qenë e njëanshme pasi ajo është shpallur në konsultim dhe bashkëpunim me aktorë kyç në procesin e negocimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Po ashtu, kjo Deklaratë është adoptuar nga përfaqësuesit legjitim dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike si shprehje e pushtetit konstituiv të popullit të Kosovës dhe jo nga Institucionet Provizore të Vetëqeverisjes së Kosovës, ashtu si është pretenduar nga Serbia dhe përkrahësit e saj. Po ashtu, Shqipëria dhe Franca kanë kundërshtuar edhe juridiksionin e Gjykatës për të dhënë një opinion këshillimor në këtë rast.

Disa nga argumentat e paraqitur nga Shqipëria gjatë procedurës ligjore përpara Gjykatës në mbështetje të së drejtës së autoriteteve legjitime dhe demokratike të Kosovës për ta shpallur pavarësinë e Kosovës janë:

1. Rezoluta 1244(199) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara qëllimisht e ka lënë të hapur mënyrën e rregullimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Po ashtu, pas Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës me datë 17 shkurt 2008, as Këshilli i Sigurimit, as Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, dhe as Asambleja e Përgjithshme nuk e kanë dënuar apo marrë ndonjë veprim në kundërshtim me këtë deklaratë.

2. Populli i Kosovës është i njohur si i tillë në disa dokumenta nga disa organizma duke përfshirë edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe për rrjedhojë gëzon të drejtën për vetëvendosje nën të drejtën ndërkombëtare. Kjo e drejtë për t’u ndarë nga Serbia dhe për të qenë shtet i pavarur është bazuar ndër të tjera në rrethanat e veçanta që shoqërojnë këtë rast, ku ndër të tjera janë veçuar shkelja të drejtës së brendshme të vetëvendosjes nga Serbia me heqjen e autonomisë në 1989; shkeljet masive dhe të rënda të të drejtave të njeriut bazuar në politika diskriminuese publike shtetërore për një periudhë dhjetëvjeçare, që kulminuan në fushatën masive të spastrimit etnik në 1998-1999; si dhe  pamundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të pranueshme nga të dyja palët gjatë një procesi të gjatë negocimesh, kryesuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Ahtisaari.

3. Kjo Deklatë Pavarësie nuk është as në tejkalim të kompetencave të përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike të popullit të Kosovës dhe as në shkelje të normave detyruese të së drejtës ndërkombëtare.

4. Parimi i integritetit territorial nuk është i aplikueshëm në këtë rast, pasi ai aplikohet vetëm ndërmjet shteteve dhe nuk përfshin edhe proceset e brendshme që zhvillohen brenda një shteti. Kështu, Kosova, bazuar ndër të tjera edhe në të drejtat që ka gëzuar si një pjesë konstitutive e ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në bazë të Kushtetutës së 1974-ës, mund dhe ka ushtruar të drejtën e shkëputjes nga Serbia.

5. E drejta ndërkombëtare në vetvete nuk e rregullon procedurën e miratimit të aktit të shpalljes së pavarësisë së një populli, formën e tij, apo ligjshmërinë e tij, përveç ndalimit në rastin e ndërhyrjes nga jashtë nga një shtet tjetër dhe kur një shpallje e tillë vjen në kundërshtim me norma detyruese të së drejtës ndërkombëtare. Rasti i Kosovës nuk bie nën asnjërën nga dy kategoritë e fundit.

Shqipëria i ka kërkuar Gjykatës që të deklarojë që Deklarata e Pavarësisë e Kosovës e 17 shkurtit 2008 është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Përveç këtyre argumentave që u përmendën më sipër Shqipëria ka paraqitur para Gjykatës një sërë argumentash të tjerë që janë përfshirë në komentet me shkrim në prill dhe korrik 2009, në argumentat me gojë paraqitur me datë 2 dhjetor 2009, dhe në përgjigjen e saj ndaj pyetjeve të shtruara nga gjyqtarët në fund të fazës me gojë. Të gjitha këto argumenta si dhe dokumentat përkatës ku ato janë ekspozuar janë të hapura për publikun e gjerë në faqen e internetit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në http://www.icj-cij.org/docket/index.php?p1=3&p2=4&code=kos&case=141&k=21 .

Personalisht shpresoj që ky opinion këshillimor, i cili nuk është ligjërisht i detyrueshëm për shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit si dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, shenjat e dhëna në vijimësi nga Beogradi duket se autoritetet serbe në vend që të pranojnë realitetin dhe të ulen në bisedime të nevojshme dhe me interes reciprok me autoritetet kosovare, mbeten të fokusuara në mbajtjen e një gjendjeje të tensionuar në Kosovë, gjë e cila nuk i shërben paqes dhe sigurisë në Ballkan, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë.

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.